Lajmet e fundit

Nesër në qytetin e Prizrenit do të protestohet për vdekjen tragjike të tre vjeçares, Xheneta Gashi pas shembjes së shtëpisë në Qendrën Historike të këtij qyteti.
Për të biseduar lidhur me këtë në një lidhje direkt në Info Magazine të Klan Kosovës ishte i ftuar Hajrulla Çeku nga organizata joqeveritare “Ec ma ndryshe”.
Ai ka thënë se kjo protestë nuk është organizim vetëm i organizatës ku ai bën pjesë por përfshin shumë më tepër.
“Protesta është organizim i një grupi shumë të madh të shoqërisë civile, përveç grupit fillestar kemi edhe një grup të organizatave nga qytete të tjera dhe nesër do të jenë për ta përkrahur protestën për të kërkuar përgjegjësinë institucionale për rastin tragjik të ndodhur një javë më parë”.
Çeku ka treguar se protesta fillon në orën 12:00 ndërsa shfaq dy kërkesa kryesore.
“Kemi dy kërkesa, dorëheqja e krerëve të institucioneve, kryetarin e komunës dhe dy ministrat e Qeverisë, ai i Ministrisë së Kulturës dhe Planifikimit Hapësinor”.
“Ne kemi kërkesë gjithashtu për organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet dhe të ketë dhënie të dënimit të merituar”.
Sipas tij, kjo protestë është vetëm fillimi i një reagimi qytetar,
“Ne sot kemi thënë në mëngjes në një komunikim me mediat se nesër po e fillojmë një cikël të reagimit qytetar, protesta do të jetë vetëm hapi i parë, do të paralajmërojmë veprimet të tjera, nuk përjashtohen veprimet në Prishtinë, do të ketë edhe veprime të tjera deri në momentin kur institucionet do të japin llogari”.
Ai ka pohuar gjithashtu se kjo protestë është protestë qytetare dhe nuk ka të bëjë me asnjërën nga partitë politike ndonëse sipas tij, janë të gjithë të mirëseardhur të marrin pjesë.
“Është betejë e shoqërisë, me këta pushtetmbajtës që kanë qenë të papërgjegjshëm, ne nuk kemi nevojë për tragjedi të reja për të kuptuar që këta janë të paaftë dhe ne duhet të kërkojmë dënimin që me neglizhencën e tyre kanë prodhuar këtë tragjedi”.
“Nuk do të pajtohemi me asnjë lloj devijimi që dikush do të tentojë të bëjë protestës së nesërme dhe protestave të tjera”.
Çeku ka folur edhe për veprimin e institucioneve që kanë vendosur gypa betoni përreth objekteve në Qendrën Historike të Prizrenit duke e quajtur si veprim absurd.
“Institucionet po reagojnë me vonesë por edhe në mënyrë absurde, ne nuk jemi aq të dijshëm dhe nuk kemi parë metoda të tilla për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ky lloj improvizimi nuk duhet të ishte temë diskutimi se kjo nënçmon tragjedinë që ka ndodhur javën e kaluar dhe situatë e improvizuar që mund të degradojë në tragjedi të reja”.