Komuna e Prizrenit ka ndarë material ndërtimor që të ndërtohen 60 shtëpi për familjet në nevojë në këtë komunë.
Elhame Berisha, drejtoresh për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, ka thënë për Ora e Fundit në Klan Kosova se përfituesit janë zgjedhur duke u marrë parasysh disa kritere dhe nga 200 kërkesa në këtë fazë janë plotësuar 60 prej tyre.
“Për një shtëpi vlera është 5000 euro. Ne e sigurojmë materialin ndërtimor, kurse familja e siguron fuqinë punëtore. Që dikush të bëhet përfitues është dashur të jetë rast social dhe kryesisht iu kemi dhënë përparësi grave kryefamiljare, invalidëve dhe kështu me radhë”, ka shpjeguar Berisha.
Njëri nga përfituesit e kësaj ndihme, Rexhep Shala, është shprehur i lumtur me donacionin, sepse ka thënë se tashmë edhe familja e tij do të bëhen me shtëpi.
“Deri më tani kam qëndruar në shtëpi të huaja, por tash Komuna na ka ndarë materialin dhe na mbetet neve ta ndërtojmë shtëpinë”, ka thënë Shala.
Drejtoresha Berisha ka lutur të gjithë ata që nuk kanë fituar donacion këtë herë, që të mos zhgënjehen, sepse do të ketë faza të tjera të ndihmave.
“Mos të zhgënjehen ata që nuk kanë përfituar sivjet sepse pritet në ndonjë fazë të mëvonshme, apo edhe vitin tjetër”.
Ajo ka treguar edhe për ndihma që në të kaluarën i ka ndarë Komuna e Prizrenit.
“Ne edhe vitin e kaluar kemi shpërndarë 92 banesa për familje të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe për raste sociale”, ka pohuar Berisha në Ora e Fundit në Klan Kosova.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.