Lajmet e fundit

Mario LamoJiménez
(Kolumbi)
Kam shtatëmbëdhjetë orë që kam vdekur dhe ende nuk po më varrosin. Sa e mërzitshme qenka të jesh i vdekur! Të paktën, po të kisha një puro për ta tymosur, nuk do të mërzitesha kaq shumë duke pritur.
Mund të kisha kaluar në krahun tjetër me më shumë kujdes, por edhe vetë vdekja ime qe e dështuar. Duke kaluar rrugën «La Septima», ia ngul sytë një zeshkaneje që shkon duke u tundur, hutohem dhe më godit me motoçikletë korrieri i barnatores. Përplas kokën te trotuari dhe aty mbetem si një gjel i ngrirë në vitrinën e një frigoriferi, me sytë e qelqtë dhe me gjuhën e përjagur, ndërsa dosjet e gjyqtarit mbeten të shpërhapura nëpër rrugë. Një qen që kaloi aty nisi të më lëpijë plagën, por e trembi sirena e ambulancës që, siç dihet, mbërriti me vonesë. Kur mbërrita në spital, tashmë i vdekur, nuk donin të më pranonin, pasi nuk kisha dokumentin e sigurimeve shoqërore. Dikush, midis kureshtarëve, më kishte vjedhur portofolin dhe orën e dorës. Ora e dorës nuk më interesonte se s’kishte ç’më duhej më, por humbja e portofolit më dhëmbi, sepse ishte prej lëkure deveje dhe e kisha kujtim nga Elisa. Në agjencinë e varrimit më provuan gjashtë arkëmortë, por asnjëri nuk më bënte. Ishin të vegjël. Më në fund, për të kursyer paratë, ime shoqe vendosi për një që ishte imitim dru mogani, por, meqë as ai nuk më merrte, më hoqën këpucët dhe m’i përthyen këmbët. Tani do të më varrosin me çorape të grisura. Mua që fitoja vetëm nëntëdhjetë mijë peso në muaj! Ime shoqe në fillim zuri të qante, por kur i thanë se sigurimi i jetës paguante nëntë qind mijë peso, e vetmja gjë që tha qe: «Epo mirë, zure se do të vdistepër dhjetë muaj.»
Ja ku jam, në sallonin e shtëpisë sime, duke pritur që të më varrosin. E mbështetur në mur, është kurora me çmim të lirë, që më dërguan shokët e zyrës. Vetëm Hili ka ardhur për të më përcjellë. I detyrohem njëzet mijë peso dhe tani po ngushëllon time shoqe.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://revistasaras.al/2015/12/02/pritja-e-fundit/