Lajmet e fundit

Presidenti i rajonit verior kufitar të Francës me Britaninë, Xavier Bertrand ka deklaruar për BBC-në se, mijëra emigrantët që presin në qytetin Calais duhet të kenë mundësinë të aplikojnë për azil për në Britani në një vend të caktuar në Francë, në vend që të presin momentin për të kaluar ilegalisht drejt ishullit.
Aktualisht, zyrtarët britanikë kontrollojnë pasaportat në Francë, ndërkohë që zyrtarët britanikë thonë se, ata që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare do të duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të sigurtë ku mbërrijnë, duke iu referuar marrëveshjes së Dublinit.
Britania paguan shuma të mëdha monetare për të mundësuar Francën të ushtrojë kontrolle të rrepta për emigrantët, të cilët edhe përpos këtyre masave, sërish arrijnë në numra të konsiderueshëm të hipin nëpër maunet apo kamionët që vijnë nga Franca për në Britani.
Gjatë kësaj jave, ministrja e re britanike e Punëve të Brendshme, Amber Rudd pritet të shkojë në Paris për të negociuar një marrëveshje të re mes dy vendeve, në përpjekje për të frenuar valën e emigrantëve, por kritikët thonë se Franca rrezikon të shndërrohet në magnet për më shumë emigrantë që kërkojnë një jetë më të mirë në Britaninë e Madhe.