Lajmet e fundit

Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot, iu dha drita jeshile ndërtimit të Qendrës Sportive për zhvillimin e arteve marciale.
Me këtë rast u firmos memorandum mirëkuptimi ndërmjet MKRS-së, Komunës së Prishtinës, Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovës (UNDP), Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Karatesë së Kosovës.
Përmes këtij memorandumi, palët nënshkruese pajtohen që në Prishtinë të ndërtohet një Qendër Japoneze për Arte Marciale (Karate, Xhudo, Xhiu-Xhicu, Kendo, etj) në përputhje me standardet ndërkombëtare të konkurrencës, së bashku me krijimin e ‘Asamblesë së Arteve Marciale’ dedikuar këtyre disiplinave.
Detyrë e përbashkët e palëve nënshkruese sipas memorandumit është gjetja e fondeve për përfundimin e projektit dhe për pajisjen e qendrës me pajisjet e duhura.
Ministri Kujtim Gashi, e vlerësoi këtë akt të cilin e nënshkruan bashkërisht me palët tjera jashtëzakonisht të rëndësishëm duke qenë se përkon me politikat e MKRS-së ndaj sportit.