Zhvillimet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe prishja e raporteve mes Donald Trump dhe Elon Musk ishin temat që u diskutuan në emisionin “Ora Shtatë”.
Sadri Kortoci, i cili jeton dhe vepron në SHBA, tha se është e vështirë të kuptosh veprimet e presidentit amerikan, transmeton Klankosova.tv.
“Është e vështirë të kuptosh veprimet e Donald Trump, janë njerëz të fuqishëm ekonomikisht, Trumpi është edhe i fuqishëm politikisht. Por të dy kanë egot personale, egot e biznesit, fakti se Musk mendon se ka titullin që mund të bëjë çdo gjë lidhur me Trumpin, këto gjëra kalojnë në një moment ku prishen raportet”, u shpreh Kortoci.
Ndërsa njohësi i zhvillimeve në SHBA, Bardh Zherka tha se ka qenë e pritshme prishja e raporteve mes Trumpit dhe Musk.
“Ka qenë e pritshme. Mua po më duket se ka ardhur paksa me vonesë, duke marr parasysh egon të cilën këta dy njerëz e kanë pasur brenda një shtëpie që për ta tashmë ka qenë shumë e vogël, siç është Shtëpia e Bardhë, ironikisht me thënë”, u shpreh Zherka.
Ai thotë se mosmarrëveshja mes Musk dhe Trump ka mundur të nisë nga buxheti që ka dashur ta shtyj ky i fundit.
Ndërsa gazetari Ardian Gaxheri tha se njeriu më i pasur në botë dhe presidenti i Amerikës janë dy ‘alfa meshkuj’, njerëz që duan të tregojnë se cili ka pushtet më shumë.
https://www.youtube.com/watch?v=cTUKhg1scwk
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.