Lajmet e fundit

Vazhdojnë të zbardhen dëshmitë e dhëna në prokurori për çështjen e Tom Doshit.
Gazeta Shqip ka zbardhur dëshminë e Dritan Priftit, i cili u thirr për të dëshmuar si person që kishte dijeni.
Në prokurori, ai ka treguar se deputeti Mark Frroku i ka thënë se Ilir Meta kërkon ta vrasë.
“Në muajin gusht kam qenë me pushime në Vlorë dhe më ka telefonuar Mark Frroku, i cili më ka kërkuar takim. Marku erdhi në Vlorë dhe më takoi i vetëm. Ai më tha se ka rastisur në një tavolinë me disa të tjerë dhe kishte dëgjuar që për mua ishte dhënë një porosi për të më vrarë. I kërkova të sqaronte më shumë rreth kësaj, por Marku nuk pranoi të më jepte asnjë hollësi. Më tha ruaju, merr disa roja, bli ndonjë makinë të blinduar. I thashë nuk është ndihmë të më thuash vetëm kaq dhe jo të gjithë të vërtetën. Gjashtë gjithë jetës nuk kam bërë armiq, përveçse me një person, që e di gjithë Shqipëria, që është Ilir Meta, i thashë. Më thuaj a është Ilir Meta porositësi apo jo? Marku nuk më pohoi asgjë me zë, por ma pohoi me kokë, pra me lëvizje pohuese të kokës. I thashë më thuaj të lutem me cilët ishe në tavolinë dhe ku e ka bërë porosinë. Më tha e ka bërë porosinë te një grup kriminal nga Lapraka. Një person shumë i rrezikshëm, që thuhet se ka ardhur nga jashtë”.
I pyetur se çfarë bëri ai pasi mori informacionin, Prifti thotë: “Kam thirrur Ylli Ndroqin, i cili është miku im dhe herë pas here i ka dërguar mesazhet e mia Ilir Metës dhe të paktën ka qenë prezent në takimet e mia me Ilir Metën për çështje të tjera. I tregova Yllit që një deputet i Kuvendit më informoi për një skenar vrasje dhe porosi të Metës. I thashë thuaj Metës këtë që të thashë. Disa ditë më vonë, Ylli shkoi në Jalë, ku Ilir Meta ishte me pushime dhe më telefonon për të më dhënë përgjigje. Nga telefoni i tij del në bisedë Ilir Meta vetë dhe më thotë çfarë janë këto që dëgjoj, unë nuk kam asnjë lidhje. Shikoje mos është ndonjë skenar i Visho Ajazit dhe i Sali Berishës për të më hedhur fajin mua. I thashë nuk kam konflikt me Berishën dhe Ajazin, konfliktin e kam me ty. Meta më tha se kishte lajmëruar Tahirin. Pas kësaj bisede, mendova se ishe e mjaftueshme njoftimi i Ilir Metës dhe e kam quajtur çështjen të mbyllur”.