Më 8 dhe 9 korrik, në hapësirat COD pranë Kryeministrisë dhe REJA pranë Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë do të shfaqet premiera e filmit ‘HUMAN’ në regjinë e fotografit të njohur belg Yann Arthus-Bertrand.
“HUMAN” është një përmbledhje e tregimeve dhe të imazhit të botës sonë, e cila koncentrohet në thelbin e asaj çka do të thotë të jesh njeri. Nëpërmjet këtyre historive plot dashuri dhe lumturi, si dhe urrejtje e dhunë, “HUMAN” na sjell ballë për ballë Tjetrin, duke na bërë të reflektojmë mbi jetën tonë. Toka jonë shfaqet në formën e saj më sublime përmes imazheve ajrore të papublikuara kurrë më parë, kjo e shoqëruar me muzikë relaksuese, duke rezultuar në një hymn mbi bukurinë e botës dhe duke siguruar një moment për të marrë frymë dhe për të reflektuar mbi veten.
Ky film vjen në Tiranë si bashkëpunim i PriFest - Prishtina International Film Festival, Bashkisë Tiranë dhe qendrës COD. Ky film u shfaq në edicionin e fundit të PriFest në prill të këtij viti në Kosovë.
‘HUMAN’ pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Venedik vitin e kaluar, dhe që atëherë nuk ka pushuar së udhëtuari nëpër botë, transmeton Klan Kosova.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.