Lajmet e fundit

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), u bë prezantimi i programit për regjistrimin e rasteve me kancer “CanReg 5”.
Ky program është softueri i regjistrit të kancerit, i rekomanduar nga OBSH-ja, që do të mundësojë një evidentim cilësor dhe sasior të rasteve të sëmundjeve malinje.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se ky është rezultat i punës së Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit, me mbështetjen e Zyrës së OBSH-së në Kosovë.
Ai tha se vitet në vijim do të jenë sfiduese sa u përket sëmundjeve malinje për faktin se me rritjen e jetëgjatësisë, shtohen edhe rastet me sëmundje malinje, që do të jetë një sfidë e veçantë për profesionistët shëndetësor.
Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se me programin “CanReg 5” do të regjistrohen të dhënat, të cilat grumbullohen me fletëparaqitjen e sëmundjeve malinje në Kosovë.
“Ky program është realizuar me përkrahjen e OBSH-së, Zyra në Prishtinë, dhe ka për qëllim që të ngritë cilësinë dhe sasinë e raportimit të sëmundjeve malinje dhe që indikatorët relevantë për sëmundjet malinje të mund të raportohen në OBSH dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, tha Ramadani.
Sami Uka nga Zyra e OBSH-së në Kosovë, tha se regjistri e ka rëndësinë e veçantë sa u përket zhvillimit të politikave shëndetësore, ndërsa rekomandon katër hapa sa i përket adresimit të sëmundjeve malinje: Parandalimin; Zbulimin e hershëm; Diagnostikimin dhe Trajtimin dhe kujdesin paliativ.