Lajmet e fundit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar të gjitha shtetet që i qëndruan Kosovës afër në luftë e paqe.
Ajo në fjalimin e parë si presidente e Kosovës në foltoren e Kuvendit veçoi tre partnerë të Kosovës që i cilësoi si shtyllat e përhershme ku mbështetet Kosova, njofton Klan Kosova.
“Historia jonë krahas dhimbjes është histori e shpresës dhe e ngadhënjimit mbi të keqen, në të cilin rrugëtim e patëm përkrahjen e përhershme të miqve tanë të shumtë. Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës, atyre që jo vetëm që u rreshtuan krah popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, por qëndruan krah nesh në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ne sot kërkojmë nga ata që të vazhdojnë të qëndrojnë krah nesh në synimet tona të përbashkët për integrim në strukturat atlantike”.
“Në mesin e aleatëve tanë të shumtë janë tri shtylla në të cilat jemi mbështetur fortë e na kanë qëndruar pranë gjithnjë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli i lirë amerikan me të cilët ne ruajmë miqësi të hershme dhe të përhershme. Bashkimi Europian e Mbretëria e Bashkuar. BE, anëtarësia e të cilit mbetet objektiva strategjike qartazi e shprehur me vullnetin e popullit dhe e vulosur në Kushtetutën e Kosovës. Dhe si shtyllë e tretë do të jetë Republika e Shqipërisë me të cilën ruajmë natyrshëm raporte të veçanta kombëtare, kulturore, gjuhësore dhe politike”.
Osmani tha se do të jetë e përkushtuar për drejtësi në vend e veçanërisht për të sjellë drejtësi për viktimat e luftës së fundit.
Ajo tha se dialogu me Serbinë është rruga që ka përpara Kosova, por se ai arrihet kur prej Serbisë do të ketë pendesë.