Lajmet e fundit

Njëri në 2 e 46 e tjetri në 2 e 50 pasditen e së shtunës më 23 tetor e shkelën për herë të fundit Kosovën.
Alexei Krivosheev dhe Denis Vengerskii u larguan sapo Ministria e Punëve të Jashtme me rekomandim të Presidentes i shpalli të dy, persona të padëshiruar.
Ky sqarim u bë zyrtar nga policia vetëm pasi në medie u publikua fotografia e Viktor. L. i cili poashtu punon në zyrën ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë, por me siguri ky nuk është personi i shpallur non-grata.
E për dy kolegët e tij që e patën këtë fat para 12 ditësh, sqarimi i vetëm mbetet cenimi i sigurisë kombëtare, por jo edhe veprimet që konkretisht kryen. Ndonëse jozyrtarisht u bë e ditur se të dy po gjurmonin dokumente të ndjeshme në vend, ministrja e Punëve të Jashtme nuk e konfirmon dot.
''Për tema të tilla të ndjeshme nuk mund të bisedojmë publikisht pa shkelur detyrimet që i kemi'', deklaroi Gërvalla për Klan Kosovën.
Klan Kosova tentoi që nga e premtja e 22 tetorit të marrë një përgjigje për këtë edhe nga Zyra e Presidencës.
Kur e para e shtetit, Vjosa Osmani u njoftua për pyetjen që do i bëhej pas një ngjarje, e devijoi edhe rrugën derisa përgjigjia e premtuar edhe nga stafi, nuk u dha fare.
Reagimi i vetëm i deritanishëm qe kërkesa e Ministrisë së Jashtme Ruse drejtuar UNMIK-ut që të reagojë për dëbimin e rusëve por nga selia e Kombeve të Bashkuara janë edhe më të prerë.
''Ata të dy nuk janë punonjës të UNMIK. Mund të themi se UNMIK është i njoftuar me vendimin e autoriteteve kosovare për dy përfaqësuesit e dërguar nga Federata Ruse në Prishtinë. Mund të shtoj se ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira në këtë çështje'', përgjigjet Faraz Aziz Haq, zv/zëdhënës i OKB-së pas kërkesës së televizionit.
Përgjigje zyrtare nuk ktheu as Ministria e Jashtme ruse prej më se një jave.