Lajmet e fundit

Ramiz Alia, Fatos Nano, Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ylli Bufi dhe Edi Rama janë nën akuzë.
Në qershor 2014, Nikoll Prenga ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Përgjithshme kundër kryeministrave të shtetit shqiptar që kanë drejtuar vendin pas vitit 1990, duke i konsideruar ata si përgjegjësit kryesorë për të gjitha ato që kanë ndodhur në vendin tonë gjatë kësaj periudhe postkomuniste.
Në korrik 2014 Drejtoria e Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, pranë Prokurorisë së Përgjithshme njofton kërkuesin Nikoll Prenga se kallëzimi i tij i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Po në korrik prokuroria ka vendosur të mos fillojë procedimin penal për materialin e kallëzuar nga shtetasi Nikoll Prenga.
Megjithatë Prenga nuk ndalet dhe e çon çështjen në Gjykatën e Lartë.
Kjo e fundit e ka shqyrtuar çështjen në qershor 2015 duke marrë në vijim vendimin se çështja kundër 8 kryeministrave duhet të fillojë.
Gjykata e Lartë në përfundim vendosi prishjen e vendimit të mosfillimit të procedimit penal të Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës; kalimin e akteve të çështjes për kompetencë lëndore Prokurorisë së Përgjithshme.
Por pse e ka bërë Prenga këtë padi?
“Të gjithë kryeministrat, të cilët kanë drejtuar dhe drejtojnë vendin pas viteve ’90, janë përgjegjës për katandisjen e Shqipërisë në këtë derexhe,” thotë ai për Panoramën.
“Pa përjashtim, të gjithë kryeministrat kanë shpërdoruar detyrën e tyre me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke i shkaktuar një dëm kolosal shtetit dhe shqiptarëve, të cilët dynden dyerve të Europës për mbijetesë”.
I pyetur nëse ka prova, ai thotë se ato janë sheshit, edhe pse thekson se ka fake pafund.
“Sali Berisha prishi të gjitha uzinat dhe fabrikat e këtij vendi. Meksi është përgjegjës për piramidat, që zhvatën paratë e shqiptarëve. Ilir Meta vodhi floririn. Nuk mjaftojnë këto fakte për të nisur hetimet”, thotë ai.
“I pari, i cili u hapi udhën të tjerëve, është Ramiz Alia”.
I pyetur se përse ka përfshirë në listë edhe Edi Ramën, ai thotë: “Me politikat aspak premtuese që po ndjek Rama, shqiptarët janë shumë pesimistë, prandaj po largohen nga Shqipëria, duke kërkuar azil në vende të ndryshme të Europës”.