Lajmet e fundit

Itinerarin e kanë të njëjtë. Burra, gra e fëmijë të familjes Agushi nga Nerodimja e Ulët e Ferizjat, në orën 8 të çdo mëngjesi ua mësyjnë maleve të Jezercit.
Këto pyje të cilat janë në pronësi të shtetit janë bërë shënjestra e tyre për prerjen ilegale të drunjve për dekada të tëra.
Në hall me ta janë edhe rojtarët e pyllit, të cilët ankohen se kjo familje nuk e ka ndalur avazin në dëmtimin e maleve të Jezercit as sot.
Brahim Halili, i cili punon si rojtar pylli tash e 18 vjet e njeh çdo pëllëmbë të kësaj pjese e edhe keqbërësit e saj.
Familjen Agushi, e cila e kryeson listën e rasteve kur ky i ka kapur duke prerë ilegalisht drunj, thotë se nuk e ndalin dot as institucionet.
Pavarësisht rasteve të cilat roja i ka raportuar tek eprorët e tij e te organet e rendit, ai çuditet se si ata vazhdojnë rregullisht, me të njëjtin orar, pa e pakësuar as edhe njëherë sasinë, të prenë e dëmtojnë pyjet që janë pronë shtetërore.
E të shqetësuar për dëmin që kjo familje po ia bën natyrës janë edhe banorët e Jezercit, ata të cilët prekën më së shumti nga ky shkatërrim ambiental.
Në kushte anonimiteti, njëra nga banorët e kësaj zone i tha emisionit se Agushët prenë dru të paktën 5 herë në javë.
Madje, punën e tyre në shkatërrim të natyrës, ai thotë se nuk e ndalën as në Ditën e Bajramit.
Ky banor thotë se familja Agushi nuk janë në gjendje të rëndë ekonomike që të varen nga shitja e drunjve. Sipas tij, ata posedojnë tokë e pasuri të madhe.