Lajmet e fundit

John Walker Lindh i ashtuquajturi "talebani amerikan" i cili u kap në vitin 2001 ndërsa luftonte krah talebanëve në Afganistan, doli të enjten nga një burg federal i shtetit të Indianës, transmeton Klan Kosova.
Ai kreu 17 vite nga një dënim me 20 vjet heqje lirie, nën akuzat se siguroi ndihmë të paligjshme për talebanët, sunduesit islamikë të vijës së ashpër të Afganistanit.
Por sekretari i Shtetit amerikan, Mike Pompeo e kritikoi vendimin për lirimin e John Walker Lindh dhe tha se vendimi duhet të rishikohet.
Pompeo e konsideron vendimin “të pashpjegueshëm dhe të paarsyeshëm”, gjatë një interviste për rrjetin televiziv Fox News.
Ai tha gjithashtu se John Walker Lindh po kërcënon ende Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ai është ende i përkushtuar ndaj xhihadit.
John Walker Lindh nga Kalifornia ishte 20-vjeç kur u kap, moment që përkoi me ditët e para të pushtimit të Afganistanit nga SHBA, çka erdhi si përgjigje ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Uashington dhe Nju Jork.
Ai kishte udhëtuar në Jemen në vitin 2000 për të mësuar arabisht pasi kishte përqafuar fenë islame. Më pas ai u nis drejt Afganistanit, ku u bë vullnetar për talebanët.