Përfaqësuesit e katër shërbimeve policore të Ballkanit Perëndimor kanë marrë pjesë në një konferencë rajonale e cila është mbajtur sot në Shkup, njofton Klan Kosova.
Nikoqir i kësaj konference ishte Mitko Chavkov, Drejtori i Policisë së Maqedonisë, ndërsa ishte e fasilituar nga misioni i EULEX-it.
Qëllimi saj ishte intensifikimi i bashkëpunimit dhe harmonizimi i veprimeve të mëtejme lidhur me terrorizmin dhe krimin e organizuar në Ballkan.
Në konferencë kanë marrë pjesë drejtorët e policive nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia të cilët ishin të shoqëruar nga drejtorët e tyre përkatës të hetimeve.
Terrorizmi dhe krimi i organizuar paraqesin kërcënime globale dhe që nuk njohin kufi.
Sulmet terroriste të fundit në Francë, Turqi dhe Gjermani të cilat shkaktuan një numër të madh të viktimave njerëzore dhe të dëmeve materiale, janë një tregues i qartë se ky fenomen duhet të adresohet në nivel global.
Synimi i konferencës është rritja dhe forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në këtë fushë mes policive të Ballkanit Perëndimor. Në konferencë, të gjithë drejtorët e policive nga rajoni u pajtuan për intensifikimin dhe shkëmbimin e informacionit dhe të identifikimit të mënyrave për një shkëmbim të informacionit në mënyrë sa më ekspeditive.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.