Pas më shumë se një javë prej kur u zhvillua aksioni policor në veri, e ku u mbyllën gjashtë filiale të Bankës Postare Kursimore të Serbisë, që operonte në katër komunat atje, sot policia ia ka mësyrë edhe njëherë njërës prej filialeve të kësaj banke në Mitrovicën e Veriut.
Arsyeja ka të bëjë me një kasafortë për të cilën nuk ka pasur çelës në aksionin paraprak.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga zëvendësdrejtori i policisë për veriun Veton Elshani.
Nga ky aksion pritet të shihet se çka kanë gjetur organet e rendit atje.
Në aksionin e zhvilluar para nëntë ditësh, policia i mbylli gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta.
Në to u konfiskuan rreth 1.6 milion euro dhe mbi 74 milionë dinarë apo (mbi 630 mijë euro).
Përmes kësaj banke jepeshin pagat, pagesat për skemat sociale dhe beneficionet tjera që Serbia i ndan për serbët e Kosovës në dinarë.
Aksioni u zhvillua vetëm pak ditë pasi dështoi edhe takimi i shtatë në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket dinarit në mesin e komunitetit serb.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që u miratua në shkurt të këtij viti, valuta me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme është vetëm euro.
Lidhur me këtë aksion kishte reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit që e cilësoi veprimin si përshkallëzues të tensioneve.
Edhe Bashkimi Evropian ka deklaruar se ky veprim nxit tensione.
Derisa, Qeveria ka deklaruar se çdo veprim ka qenë i bazuar mbi ligjshmërinë.
https://klankosova.tv/operacioni-policor-ne-1veri-sekuestrohen-1-6-milione-euro-dhe-mbi-74-milione-dinare/
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.