Lajmet e fundit

Policia ka dhënë detaje lidhur me protestat e mbajtura sot në disa lokacione të ndryshme të vendit si, në Graçanicë, Shtërpcë dhe në disa lokacione në Veri të Mitrovicës.
Policia e Kosovës ka thënë se me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestave.
“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”.
Në komunikatë thuhet se protestat kanë kaluar qetë, njofton Klan Kosova.
“Protestat kanë filluar rreth orës 12:00 dhe kanë përfunduar rreth orës 13:00, përderisa gjatë kësaj periudhe kohore në disa rrugë ku është mbajtur protesta në Veri, qarkullimi i automjeteve ka qenë i ndërprerë përkohësisht”.
“Vlen të potencohet se protestat kanë qenë të qeta dhe pas shpërndarjes së protestuesve rrugët janë liruar për qarkullim të automjeteve”.