Policia e Kosovës është një organizatë serioze dhe veprimet e veta nganjëherë i merr duke analizuar situatën aty për aty, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, në Ora e Fundit në Klan Kosova, kur është pyetur se a do t’i arrestojë nesër policia deputetët opozitarë për të cilët ka fletëarrest.
Borovci nuk është përgjigjur në mënyrë direket se a do të ndërhyjë policia për të kryer arrestimin e deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiun dhe Faton Topalli.
“Duke pasur parasysh kompleksitetin e situatës së nesërme jemi të përgatitur për gjithçka. Por policia nuk duhet të nxirret si penguese, ne nuk cenojmë asnjë manifestim e organizim”.
“Arrestimi i deputetëve është arrestim procesor. Policia ka lirinë dhe pavarësinë në ndërmarrjen e veprimeve, duke u mbështetur në parakushte taktike dhe teknike”.
“Pra ekziston pavarësia policore, për të ndërmarrë hapa të caktuar. Për disa situata përcaktohen veprimet aty për aty, varësisht nga analizimi i situatës. Sa herë ka evente bëhen plane operative, ato janë fleksibile dhe i përshtaten situatës”, pohoi Borovci.
Ai tregoi se forcat e rendit janë të përgatitur për nesër dhe presin një fluks të madh të njerëzve në Prishtinë.
“Të gjitha i kemi parasysh. Nga eksperienca jemi të përgatitur. Numri mund të jetë i madh nesër, pretendimet tona janë këto, sepse Prishtina është qendra kryesore”.
“Ka edhe shumë koncerte dhe ndeja të ndryshme. Prandaj nesër gjatë gjithë ditës do të jemi aktivë, për t’i ndihmuar qytetarët”, tha Borovci, duke porositur të gjithë qytetarët që për çdo problem pa hezitim të kërkojnë ndihmën e Policisë.
Borovci ka folur edhe për alarmet e rrejshme për bombë në marketin Viva Fresh Store. Ai sqaroi edhe një herë se alarmi ishte i rrejshëm, “por policia nuk guxon t’i neglizhojë këto alarme”, pohoi Borovci.
klankosova.tv