Lajmet e fundit

Policia e Kosovës në një konferencë për media ka bërë të ditur se janë arrestuar pesë të dyshuar për kryerjen e veprave penale “fajde”, “detyrim” dhe “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Nënkoloneli Rexhep Fetahu nga Drejtoria e Krimeve të Organizuara ka bërë të ditur së pesë të dyshuarit janë arrestuar për kryerjen e veprave penale në rajonin e Prishtinës, ndërsa edhe dy të tjerë janë në kërkim.
Të arrestuarin janë me inicialet D.B 50 vjeç, Rr.B 23 vjeç, I.S 30 vjeç, I.B 40 vjeç dhe B.G 37 vjeç.
Fetahu gjithashtu bëri të ditur se janë kontrolluar shtëpitë dhe lokalet përkatëse të të dyshuarve, gjithsej 11 lokacione.
Në këto lokacione janë konfiskuar 16 mijë euro, pesë vetura, laptopë, dy DVR, fishekë, katër shtëpiza kompjuteri dhe katër aparate të lojërave të fatit.
Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.