Policia ka dhënë detaje në lidhje me personin që u gjet i vdekur sot, e që ditë më parë ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët e tij.
Zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli për Klankosova.tv bëri të ditur se trupi i pajetë i këtij personi është gjetur sot rreth orës 12:00 dhe vdekja e tij është konstatuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt.
“Më 29.01.2025, familjarët raportuan në Policinë Rajonale të Ferizajt se B. V., i lindur në vitin 1987, ishte larguar nga shtëpia më 22.01.2025 rreth orës 17:00, në fshatin Pleshinë e Ulët, dhe që nga ajo kohë nuk dihej asgjë për vendndodhjen e tij”.
“Më 05.02.2025, rreth orës 12:00, në malet në mes të fshatrave Zaskok dhe Manastirc të Ferizajt, është gjetur një trup i pajetë, ku dyshohet së është i B. V. Vdekja e tij është konstatuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt”, thuhet në konfirmim.
Për Klankosova.tv, Veseli gjithashtu bëri të ditur se personi i arrestuar si i dyshuar në lidhje me këtë rast, është një 27-vjeçar
“Bazuar në hetimet e zhvilluara, informacionet e siguruara dhe provat e mbledhura, hetuesit rajonalë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin L. F. (M/K), 27 vjeç”.
“Ai është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit rajonalë, me vendim të prokurorit të rastit, është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet tutje në konfirmim.
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.