Lajmet e fundit

Veturat janë element esencial për punën e Policisë së Kosovës.
Ndjekja dhe zbulimi i krimit kërkon shpejtësi maksimale në terren.
Por, që nga muaji shkurt veturat policore kanë mbetur pa mirëmbajtje higjienike pasi i ka skaduar afati kontratës mes Policisë dhe kompanisë përgjegjëse.
Siç merr vesh klankosova.tv, prej kësaj kohe ka zyrtarë policorë në Rajonin e Prishtinës të cilët veturat zyrtare i dërgojnë privatisht për t’i pastruar - sidomos në pjesën e brendshme - pasi qëndrimi në to vështirësohet për shkak të pluhurit.
Klan Kosova ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka thënë se pavarësisht se ka skaduar kjo kontratë, Policia në këso nevoja urgjente dhe të jashtëzakonshme posedon edhe një numër të caktuar të pajisjeve dhe personelit për pastrimin e automjeteve të saja të shpërndarë nëpër tërë territorin.
“Kontrata e fundit me kompaninë përgjegjëse nuk është shkëputur, por asaj i ka kaluar afati në fund të muajit shkurt 2016. Për këtë arsye Policia e Kosovës ka filluar procedurat e prokurimit sipas Ligjit për Prokurimin Publik për lidhjen e kontratës së re”.
Hoxha ka pohuar se Policia e Kosovës ka një numër të madh të automjeteve të cilat i shfrytëzon pandërprerë, por me të gjitha vështirësitë evidente po arrin ta menaxhojë me sukses mirëmbajtjen e automjeteve të saja për të qenë prezente në terren në kryerjen e detyrave.
“Policia e Kosovës posedon një numër të konsiderueshëm të automjeteve zyrtare të cilat shfrytëzohen 24 orë pa ndërprerë për shkak të specifikave të punës që ka dhe me qëllim arritjen e objektivave kryesore”.
“Deri në përfundimin e procedurave të prokurimit për lidhjen e kontratës së re, Policia e Kosovës ka bërë zgjidhje me shfrytëzimin e pajisjeve të saja me kapacitet të shtuar”.
Skadimin e afatit të kësaj kontrate para dy muajve e konfirmojnë edhe nga kompania “Euro Wash”.
Jeton Sekiraqa, menaxher në këtë kompani të pastrimit të veturave, ka deklaruar për Klan Kosovën se tash janë në pritje të shpalljes së afatit të ri për të konkurruar përsëri në këtë tender.
Zëdhënësi Daut Hoxha ka mohuar se gjendja higjienike e veturave është e keqe, pasi ata kanë angazhuar ekipet e posaçme për t’u kujdesur për veturat zyrtare në këtë gjendje të jashtëzakonshme.