Lajmet e fundit

Një rreshtes ne Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, është arrestuar gjatë ditës së djeshme, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Arrestimi vjen pas një hetimi të realizuar nga Inspektorati Policor i Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
I dyshuari është suspenduar nga puna dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të IPK-së.
Inspektorati Policor i Kosovës javë më herët ka ndërmarrë disa veprime hetimore ndaj zyrtarit policor (rreshter në Stacionin Policor Qendra) në Prishtinë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit".
Hetimi ka qenë duke u zhvilluar në koordinim të plotë me prokurorin kompetent të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Si rezultat i veprimeve hetimore, dje (17.09.2018) hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë arrestuar këtë zyrtar policor me dyshimin se ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar (të paraparë me nenin 422 të Kodit Penal të Kosovës).
Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga prokurori kompetent.
Ndaj të njëjtit IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit i cili rekomandim është zbatuar nga ana e policisë.