Lajmet e fundit

Kuvendi Komunal i Podujevës ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën është debatuar për vërshimet e ditëve të fundit, që përfshinë disa zona të komunës.
Në këtë mbledhje në cilësinë e shefit të grupit të këshilltarëve të LVV-së, dhe si iniciues për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme, Fitim Haziri, paraqiti para këshilltarëve argumentet dhe nevojën e debatit lidhur me vërshimet e fundit.
Haziri numëroi disa nga zonat më të goditura nga vërshimet, duke propozuar masat që duhet të ndërmerren dhe nevojën e rritjes së buxhetit komunal për vazhdimin e zgjerimit dhe pastrimit të shtretërve të lumenjve.
Ndërsa, drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, prezantoi informatën për vërshimet e fundit, duke thënë se ekipi komunal i emergjencave dhe kompania e kontraktuar për intervenim me mekanizëm, gjatë gjithë kohës kanë qenë në teren për të intervenuar aty ku ka mundur të intervenohet, në evitimin pasojave të vërshimeve dhe evakuimin eventual të qytetarëve.
Ai bëri të ditur se komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet është në teren dhe po bën regjistrimin e dëmeve dhe kërkoi nga këshilltarët që edhe ata të kontribuojnë në këtë drejtim duke bashkëpunuar me komisionin.
Në diskutimet e këshilltarëve lidhur me këtë çështje u identifikuan zonat dhe lokalitetet të cilat kanë qenë më të atakuara gjatë këtyre vërshimeve dhe u propozuan masat dhe veprimet që duhet të ndërmerren me prioritet në mënjanimin e rrezikut nga vërshimet, transmeton Klan Kosova.