Lajmet e fundit

Kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili i dorëzoi atij vendimin për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në këtë qytet.
Në takim është biseduar për hapat që do të ndërmerren për funksionalizimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë, pas vendimit për themelimin e tij.
Me këtë rast, i pari i këtij qyteti Agim Veliu tha se në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal të Podujevës, ministri i Shëndetësisë, duke përfillur edhe procedurat ligjore, javën që shkoi ka marrë vendim për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.
“Pa dyshim se Themelimi i Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë do të krijojë lehtësira për qytetarët tanë, të cilët për t’i marrë shërbimet e ndryshme mjekësore, deri më tani i janë drejtuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, tha kryetari Veliu.
Nga ana e tij, numri një i shëndetësisë në vend tha se vendimi për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë është marrë duke iu përgjigjur vendimit të Kuvendit Komunal të Podujevës për themelimin e këtij institucioni, që do të ofrojë shërbime sekondare shëndetësore, transmeton Klan Kosova.