Lajmet e fundit

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se masa e paraburgimit prej 30 ditësh që është përcaktuar për deputeten e AAK-së Donika Kadaj Bujupi, po e dëshmon se Kosova po bën një tranzicion sistemesh qeverisëse.
“Vendimi i Gjykatës Themelore duke i shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, përfundimisht ka dëshmuar se vendimi është politik dhe ky është hapi i parë i një kalimi nga demokracia parlamentare në një sistem diktatorial”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Lideri i AAK-së arrestimin dhe vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka cilësuar si kryekëput politik.
“Për AAK’në si parti dhe për grupin parlamentar të saj, ky vendim është i porositur nga pushtetarët dhe si i tillë është edhe i papranueshëm”.
Në deklaratën e tij publike në Facebook, Haradinaj nuk e ka lënë pa e përmendur Presidenten Atifete Jahjaga e as Kryetari i Kuvendit, për të cilët ka thënë se nuk po reflektojnë.
Haradinaj paralajmëron se AAK-ja s’do të ndalet derisa shefja e Grupit Parlamentar të Kësaj partie të lirohet.
“Në mungesë të një reflektimi të Presidentes, dhe Kryetarit të Kuvendit për të mbrojtur integritetin e deputetit të zgjedhur nga populli, AAK nuk do të qetësohet derisa deputetja Donika Kadaj-Bujupi të mos jetë e lirë”.
“AAK së bashku me opozitën është e vendosur të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve: Asociacionin dhe Demarkacionin, përkundër arrestimeve dhe shantazheve të pushtetit të korruptuar dhe kriminal”.
“Përgjegjësinë nga çdo pasojë që del nga ky vendim e bartin urdhërdhënësit e arrestimit politik”.