Lajmet e fundit

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se askush nuk duhet të eksperimentojë me shtetësosin e Kosovës.
Sipas Hotit, Platformë për dialog është Kushtetuta e Kosovës dhe se Ekip negociator është Qeveria e Kosovës.
“Platformë për dialog është Kushtetuta e Kosovës. Ekip negociator është Qeveria e Kosovës që ka legjitimitet politik për të ushtruar kompetencat e veta kushtetuese. Çdo format tjetër është jo kushtetues dhe nuk do të ketë përkrahje asnjëherë”.
“ Kosova është shteti i pavarur dhe duhet të përfaqësohet nga institucionet kushtetuese. Pasi institucionet aktuale nuk kanë fuqi politike dhe as legjitimitet, atëherë duhet ndjekur rrugët për të fituar legjitimitetin fillimisht. Koalicioni PAN në asgjë nuk është unik përveç për të qëndruar në pushtet me çdo kusht”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.
Ai tha se me Qeverinë e PAN-it Kosova ka bërë hapa prapa.
“Është hera e parë në historinë 30 vjeçare të përpjekjeve tona për shtet të pavarur që cenohen marrëdhëniet miqësore me SHBA-në. Është hera e parë në historinë tonë si shtet që Kryeministrit i vendosen ndalesa për udhëtim në SHBA. Mendoj se vetë partia e tij do të duhej të kërkonte dorëheqjen.
“PDK duhet të marrë përgjegjësinë kryesore në këtë izolim të Kryeministrit të Kosovës, pasi para dy jave vraponte për të marrë meritat për vendosjen e taksës”, shkruan më tej Hoti.