Lajmet e fundit

Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror për Dialogun, Fatmir Limaj, ka thënë pas takimit me liderët e vendit [presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj] se Platforma për Dialogun është finalizuar.
“Përfundimisht mund t’iu njoftoj se Platforma për Dialogun e ka marrë formën e vet finale. Kemi pasë takimin me tre liderët e shtetit [presidentin, kryeparlamentarin dhe kryeministrin] dhe ata i kanë dhënë mbështetje të plotë Draft-Platformës të hartuar nga Delegacioni Shtetëror”.
Limaj ka deklaruar se në orën 15:00 do të votohet kjo Platformë për Dialogun në mënyrë formale në Delegacionin Shtetëror derisa nesër pritet të procedohet në Kuvend, njofton Klan Kosova.
“Në orën 15:00 kemi edhe miratimin formal nga Delegacioni Shtetëror dhe nesër do t’ia dërgojmë Kuvendit. Platforma ka marrë mbështetjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve, të koalicionit qeverisës dhe Delegacionit Shtetëror”.
“Në tërësi është mbështetur kjo Platformë. Ka pasë dy-tri sugjerime shumë të rëndësishme të cilat do t’i inkorporojmë por në tërësi është mbështetur teksti që kemi dërguar dje”.
Limaj ka thënë se në këtë takim tema kryesore ka qenë për Platformën për Dialogun duke mohuar se është diskutuar edhe për taksën 100%.
Ai ka deklaruar se Kosova përfundimisht po e ndërton pozicionin e vet zyrtar në dialogun e ardhshëm për njohje me Serbinë.
“Platforma për Dialogun paraqet unifikimin e qëndrimit të institucioneve dhe Delegacionit Shtetëror në raport me pozicionin e Kosovës në dialogun për njohje me Serbinë”.
“Shpresojmë që edhe Parlamenti i Kosovës me sugjerimet dhe debatin mund të kontribuojë në këtë Platformë për Dialogun dhe i jep dritën e gjelbër”.
“Pas kësaj mund të themi që përfundimisht kemi pozicion zyrtar të të gjitha institucioneve të Kosovës në raport me dialogun për njohje me Serbinë”.
Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror është shprehur i bindur se kjo Platformë për Dialogun do të marrë mbështetje në Kuvend.
“Nuk besoj që do të ketë forca politike në Kuvend që nuk do ta mbështesin këtë Platformë sepse hartimi i kësaj Platforme është në tërësi në përputhshmëri të plotë me kërkesat dhe interesat e Kosovës në dialogun e mundshëm me Serbinë”.