Lajmet e fundit

Plagosja e të riut 26-vjeçar dje në Golem ndodhi pas një sherri për parkimin. Krimi ndodhi pas një konflikti që e kishte nisur një ditë më parë, me autorin e ngjarjes. Policia tha se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin, ndërsa i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 10:35, në ambientet e një lokali, që është në pronësi të familjes së autorit të dyshuar të ngjarjes, 23-vjeçarit Lajden Kadilli.
Ky i fundit ishte ulur për të pirë kafe me të plagosurin, 26-vjeçarin Aldi Çelçima, për të sqaruar një konflikt për çështje parkimi që kishin pasur ditën e shtunë. Por duket se biseda mes dy të rinjve nuk ka shkuar ashtu siç duhet, pasi vetëm pak minuta pasi ishin ulur, dy djemtë janë ngritur nga tavolina duke sharë njëritjetrin e më pas janë konfliktuar edhe fizikisht.
Gjatë përleshjes, i dyshuari Lajden Kadilli ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe ka qëlluar një herë në drejtim të 26-vjeçarit Çelçima. Plumbi e ka goditur në bark të riun dhe për pasojë ai ka humbur shumë gjak, duke mbetur pa ndjenja.
Ndërsa vetë i dyshuari, sapo ka shkrepur armën dhe ka parë 26- vjeçarin të shtrirë në tokë, ka nxituar të largohet nga vendi i ngjarjes. Të lajmëruar nga dëshmitarë të shumtë që kanë qenë në pranishëm, shërbimet e Policisë së Golemit shkuan të parat në vendngjarje, më pas aty mbërritën edhe oficerët e Komisariatit të Kavajës, si dhe ata të Krimeve të Rënda nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.
U ngritën pika kontrolli e postblloqe për kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit të ngjarjes, ndërsa u shoqëruan për t’u marrë në pyetje disa dëshmitarë, raporton Panorama, përcjellë Klan Kosova.