Lajmet e fundit
Zoran Kostiq nga fshati Pasjan i komuniteti serb është plagosur mbrëmë me thikë në hyrje të fshatit, i cili pas ndihmës së parë të dhënë në spitalin e Gjilanit është liruar për shërim në shtëpi.

Gjithë incidenti ka ndodhur kur Kostiqit, i cili ka qenë me familjen në automobil, ia ka prerë rrugën një makinë tjetër, në të cilën kanë qenë dy sulmuesit, të cilët, sipas viktimës, janë banorë të fshatit fqinj Vllashticë, të banuar me shqiptarë.
Kostiq është goditur me thikë në pjesën e kraharorit dhe në duar, ndërsa nga tragjedia e kanë shpëtuar banorët e Pasjanit, të cilët edhe kanë qenë dëshmitarë të rastit, ka deklaruar ai për radion “Kim” të Çagllavicës.
Kryetari i komunës së Partesh-Pasjanit Dragan Nikoliq ka deklaruar për Tanjug-un e Begradit se incidenti ka për qëllim frikësimin e serbëve në këtë pjesë të Kosovës dhe se ka kërkuar nga MPB-ja që përgjegjësit të zihen dhe të arrestohen.