Lajmet e fundit

Policia e Kosovës ka thënë se deklarata e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca se policia e ndihmoi opozitën ta fuste gazin lotsjellës në Kuvend është e pavërtetë dhe tendencioze.
“Deklarata e deputetit Glauk Konjufca është e pavërtetë dhe tendencioze për të diskredituar profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe në asnjë rrethanë mjeti i dyshuar nuk është futur në seancë me ndihmën e Policisë së Kosovës, ashtu siç është deklaruar. Deklarimi i tillë, po ashtu ka për qëllim të krijojë konfuzion te qytetarët dhe opinioni i gjerë dhe kjo mund të konsiderohet një luftë speciale kundër Policisë së Kosovës”, thuhet në një njoftim të policisë drejtuar mediave.
Policia po ashtu thekson se para se të hyjnë në kuvend, të gjithë deputetët janë kontrolluar pa përjashtim dhe te ta nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
“Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka Policia e Kosovës, janë kryer të gjitha veprimet ligjore të kontrollit ndaj të gjitha personaliteteve dhe nuk është hasur në asnjë element apo mjet të dyshuar. Ekziston mundësia e posedimit dhe përdorimit të këtij gazi lotsjellës, nga mbledhja e mbeturinave plastike të mbetura nga gazi lotsjellës i përdorur më parë nga Policia e Kosovës, por që mbeten të verifikohen të gjitha nga njësitet relevante policore, sepse mjeti plastik mund të mos jetë detektuar”, deklaron policia.
Në bashkëpunim me prokurorinë, policia ka deklaruar se do t’i kryejë të gjitha hetimet dhe procedurat ligjore për të zbuluar se si është futur gazi lotsjellës në sallën e kuvendit.
Para fillimit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët opozitarë Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Donika Kadaj-Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e parlamentit.
Pas kësaj ngjarjeje, shefi i Grupit Parlamentar të VV Glauk Konjufca ka thënë se ishin pjesëtarët e policisë së Kosovës që janë kundër “Zajednicës” ata që i ndihmuan deputëtët të fusnin gazin lotsjellës në sallë.