Lajmet e fundit
Katër policët çekë dhe një gjerman, që ishin pjesë e konvojit të sulmuar në afërsi të Leposaviqit, janë pjesë e Njësisë Mbështetëse të Policisë së EULEX që mbron dhe transporton dëshmitarët

Zyrtarët e EULEX-it që u sulmuan dje me armë zjarri në veri të Kosovës ishin çekë, njofton Klan Kosova.
Policia në Pragë ka konfimruar sot sulmin që u bë ndaj disa pjesëtarëve të saj të cilët shërbejnë në Kosovë, në kuadër të Njësisë Mbështetëse të Policisë së EULEX.
Kjo njësi mbron dhe ruan punëtorët dhe konvojet e huaja, e po ashtu siguron edhe mbrojtjen dhe transportin e dëshmitarëve.
Zëdhënësja e drejtorisë së policisë në Pragë, Jana Macalikova, ka konfirmuar se katër zyrtarë të sigurisë së Çekisë, bashkë me një koleg të tyre gjerman dhe një përkthyes, ishin duke vozitur dy makina, kur u sulmuan, dje rreth orës 14, në zonën e Leposaviqit, komunë kjo më shumicë serbe.
Ajo, siç raporton Prague Post dhe përcjell Klan Kosova, ka thënë që secila nga makinat është qëlluar dy herë në xhama. Besohet se kjo u bë me armë të kalibrit të vogël.
Rastin e sulmit të çekëve është duke e hetuar EULEX, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.