Lajmet e fundit

Një polic federal amerikan, ka thënë se fituesi i çmimit Grammy Sean ‘P Diddy’ Combs, e kishte paguar një person për ta vrarë reperin Tupac Shakur në vitin 1996.
Që të dy, edhe Diddy nga New York, edhe Tupac nga Los Angeles, ishin të përfshirë në rivalitet në mes reperëve të Lindjes dhe Perëndimit, raporton Huffington Post, transmeton Klan Kosova.
Christopher Wallace, i njohur si Biggie Smalls – një mik i afërt me P Diddy’n – ishte qëlluar për vdekje 6 muaj më pas në shenjë hakmarrjeje. Kështu ka thënë detektivi Greg Kading, i cili dikur kishte udhëhequr një task forcë që i kishte hetuar këto vrasje.
Kading në një dokumentar të ri për Tupac, thotë se Diddy e kishte punësuar Duane Keith i njohur si “Keffe D” Davis i bandës Crips, që ta vriste Tupac Shakur dhe menaxherin e tij Marion Hugh ‘Suge’ Knight, për 1 milion dollarë.
Mirëpo në natën e vrasjeve fatale, me 7 shtator të vitit 1996, ishte nipi i Keffe’s, Orlando Anderson, ai që e qëlloi reperin 25 vjeçar për vdekje, sipas ish-policit. Suge kishte ikur i pa lënduar.
Dokumentari “Murder Rap”, përmban intervistën e vitit 2008 me Keffe ku ai thotë se e kishte dëgjuar Diddy’n të deklarohet para të gjithë anëtarëve të Crips se ai “do të jepte çdo gjë për kokat e Tupac dhe Suge Knight”.
Keffe D deklarohet se në intervistën e dhënë për policinë kishte thënë se Diddy e kishte kontaktuar e më pas i ka ofruar 1 milion dollarë që t’i vriste ata të dy.
Detektivi Kading ka treguar se si ia kishte arritur ta bindte Keffe D që t’i jepte informacione lidhur me vrasjen, duke i ofruar që nja nga akuzat të cilat i ishin shqiptuar t’i hiqej.
Kading ka rrëfyer se pas vrasjes së Tupac, Suge e kishte paguar një anëtar të një bande rivale të Crips, “Blood”, që ta vriste shokun ngushtë të Diddy’t Biggie Smalls për vetëm 13,000 dollarë.
Kading thotë se banda “Blood”, qëndron prapa vrasjes së Biggie Small apo siç njihet botërisht The Notorious B.IG., që ishte njëri ndër reperët më të mëdhenj në Amerikë, derisa u qëllua për vdekje me 9 mars të vitit 1997.
Ai ishte vrarë teksa po largohej nga ceremonia Peterson Automotive Museum në Los Angeles.
Vdekja e Tupac ka mbetur një mister i përhershëm dhe askush kurrë nuk është dënuar. Ai ishte qëlluar disa herë me armë në Flamingo Road në Las Vegas, Nevada. Tupac kur u vra, sapo kishte parë një ndeshje boksi në mes Mike Tyson dhe Bruce Sheldon.