Lajmet e fundit

Të enjten dhe të premten nuk do të mbahet mësim në shkollat e Komunës së Vushtrrisë.
Kjo për shkak të vërshimeve atje që kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.
Kështu tha për Klankosova.tv drejtori i Arsimit Dardan Abazi.
"Gjatë të enjtes dhe të premtës është pezulluar mësimi. Kjo për shkak se disa shkolla janë dëmtuar, pra oborret janë mbushur me ujë e po ashtu disa nxënës dhe arsimtarë kanë vështirësi edhe në sigurimin e transportit", tha Abazi.
"Natyrisht se këto orët e humbura do të kompensohen në një kohë të përshtatshme", tha ai.
Ai theksoi se disa shkolla në qytet do të shndërrohen në shtabe të emergjencave.
"Dy shkolla, gjimnazi dhe dy shkollat teknike planifikohet të shndërrohen në shtabe emergjente. Domethënë aty do të mund të qëndrojnë qytetarët nëse ka nevojë. Gjatë dy ditëve të ardhshme është paralajmëruar edhe mundësia dhe ekziston rreziku për vërshime", tha ai.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.