Lajmet e fundit

Gjatë vizitës në Britaninë e Madhe, Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha është takuar me Alastair King-Smith, Drejtor i Zyrës Kundër Ekstremizmit Ndërkombëtar të Britanisë së Madhe.
Gjatë këtij takimi, e para e drejtësisë në Kosovë e njoftoi King për punën e deritashme në Strategjinë kundër Terrorizmit dhe Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, si mekanizma për të luftuar këto dukuri.
Po ashtu, Hoxha e njoftoi z. King për punën që është duke u bërë me Shërbimin Korrektues për të parandaluar ekstremizmin dhe radikalizimin e të burgosurve, duke u fokusuar në masat që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë për të parandaluar këtë dukuri.
Ndërkaq, Alastair King-Smith nga ana e tij theksoi se përvoja e Kosovës në këtë drejtim është e dobishme dhe mund të shfrytëzohet për të ndihmuar edhe vendet e tjera të rajonit dhe të botës në luftën kundër ekstremizmit.
Po ashtu, King-Smith shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë për punën që po bëhet kundër radikalizimit të të burgosurve, transmeton Klan Kosova.