Lajmet e fundit

Sot në Pomozotin në Fushë Kosovë, është bërë përurimi i Qendrës për Kërkim dhe Shpëtim në kuadër të FSK-së.
Me rastin e hapjes së kësaj qendre të pranishëm ishin edhe Ministri i FSK-së, Haki Demolli, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaqi dhe ish Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, njofton Klan Kosova.
Gjenerallejtënant Rama cilësoi FSK-në forcë profesionale dhe të motivuar.
“Po e dëshmojmë çdo ditë që jemi forcë profesionale, e përgatitur dhe e motivuar, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe e gatshme të kontribuoj në siguri nacionale dhe globale” ka thënë Rama.
Ndërsa ministri Demolli tregoi për punën në këtë qendër si dhe falënderoi partnerët ndërkombëtarë nga Suedia, SHBA-të dhe Turqia për ngritjen e saj.
“Në raste të tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore, personat e parë që do të përgjigjen për të shpëtuar jetë, janë burrat dhe gratë e trajnuara të kësaj qendre. Gjithashtu karakteristikë e kësaj qendre është që përveç pjesëtarëve të FSK-së dhe kosovarëve në përgjithësi, këtu do të trajnohet edhe shtetasit e huaj” ka deklaruar Demolli.