Lajmet e fundit

Gjatë ditës së sotme, në Komunën e Drenasit u përurua Objekti Administrativ i Ujësjellësit/NJOU Drenas.
Ndërtimi i objektit administrativ të ujësjellësit në Drenas është bashkëfinancim i KRU ''Prishtina'' dhe Komunës së Drenasit, njofton Klan Kosova.
Kostoja e këtij projekti është rreth 100 mijë euro, mjete financiare të ndara nga KRU ” Prishtina” sh.a. derisa, Komuna e Drenasit kishte ndarë parcelën për ndërtim.
Ky objekt administrativ është ndërtuar në një lagje të kësaj komune, konkretisht në Drenasi III.
Objekti i ndërtuar tashmë, do të jetë në shërbim të qytetarëve të kësaj komune, aty ku mund të bëhen ankesa dhe kërkesa komerciale dhe teknike, pagesa për shërbime të ujësjellësit e kanalizimit pra, gjithçka që ndërlidhet me shërbimet e ofruara për të gjithë konsumatorët.
Poashtu, zyra qëndrore e ujësjellësit në komunën e Drenasit për pagesa të shërbimeve mbetet sërish aty ku ka qenë, në qendër të kësaj komune.
Në këtë ceremoni përurimi morën pjesë kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, bordi i drejtorëve të KRU ''Prishtina'' i kryesuar nga Betim Berisha, kryeshefi ekzekutiv Ilir Abdullahu, zyrtarët e lartë të kompanisë dhe punëtorë të tjerë, njofton Klan Kosova.Kompania Rajonale e Ujësjellësit ''Prishtina'' ofron shërbime të ujit dhe kanalizimit edhe në komunën e Drenasit, qytetin dhe disa zona përreth.
Në Drenas u ofrohen shërbime 5156 konsumatorëve. Në këtë komunë ka një shtrirje të gjerë të infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, 115 kilometra rrjet ujësjellësi dhe 34 kilometra rrjet të ujërave të zeza.
Zonat ku KRU ''Prishtina'' ofron shërbime janë: Drenas (qyteti), Pokleku i Ri, Pokleku i vjetër, Shtrubullova, Gllobari, Tersteniku, Çikatova, Dobrosheci, Gllanasella, Komorani dhe Zabeli i Lartë.
Në këtë komunë ka tre rezervuarë të ujit dhe dy stacione të pompave, ku uji fillestar merret nga kanali i Ibër Lepencit në fshatin Bivolak, thuhet në kumtesën e dërguar nga KRU ''Prishtina'', njofton Klan Kosova.