Lajmet e fundit
Los Blancos janë ngjitur në krye të tabelës pas pothuaj shtatë muajsh.

Më 7 mars të këtij viti Real Madridi u mposht 1-0 në San Mames dhe skuadra atëherë e drejtuar nga Carlo Ancelotti humbi kryesimin e La Ligas nga Barcelona, që në krye mbeti deri në fund të sezonit.
Gati shtatë muaj më pas Real Madridi është kthyer në krye të tabelës, pasi në stadiumin e ri e të Bilbaos doli triumfues, pas dy tentimeve të dështuara.
Hera e fundit që Reali u ngjit në krye të tabelës ishte data 1 nëntor 2014, pas një fitoreje rutinë ndaj Granadas, 4-0, në xhiron e 10-të të kampanjës, pasi kishte pësuar disfata nga Real Sociedadi the Atletico në xhirot e para.
Në këtë rast kryesimi i Realit zgjati 16 javë, deri në disfatën në San Mames, në javën e 26-të, megjithë humbjen turpëruese nga Atletico, 4-0, në javën e 22-të.
Statistikat e Realit në pesë ndeshjet e para janë mbresëlënëse: Los Blancos kanë shënuar 14 herë dhe pësuar vetëm një herë.
Kur mori drejtimin e skuadrës Benitez premtoi se do të forconte mbrojtjen pa e dëmtuar filozofinë sulmuese të Realit.
“Do të shënojmë gola, por duhet të përmirësohemi në mbrojtje”.
Në të gjitha ligat, vetëm Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund janë statistikisht më mirë se Reali. Skuadra e Pep Guardiolës, që ka një ndeshje më shumë të luajtur, ka shënuar 20 gola dhe pësuar vetëm tre, ndërsa Dortmund rrjetën e ka tundur 19 herë dhe pranuar katër në rrjetën e vet.