“Njëra nga atletet tona që është duke garuar në Lojërat Olimpike në Rio, Majlinda Kelmendi, ka fituar medaljen e artë”.
Këtë urim e bëri ekipi i Turqisë, Galatasaray, dega e xhudos, natën kur Majlinda mori të artën dhe në Kosovë kishte reagime të ashpra.
Shumicës u pengoi veçanërisht që turqit i referoheshin Majlindës si “e jona”, duke prishur kështu melodinë perfekte për veshin e kosovarëve natën e së dielës – “Majlinda Kelmendi fiton medaljen e parë të artë në histori të Kosovës”.
Edhe mediat në Kosovë, sidomos ato online me qasje kritike e disa edhe cinike e raportuan urimin e Galatasaray-it.
Por, drejtuesit e klubit nga Stambolli me të drejtë të plotë e cilësuan si të tyren Majlindën, pasi që ajo është anëtare e klubit të xhudos të Galatasaray-it, madje ka kontratë katër vjeçare, të nënshkruar tash vonë – me 10 korrik të këtij viti, njofton Klan Kosova.

Për më tepër, bashkë me Kelmendin kontratë katër vjeçare ka nënshkruar me Galatasaray-in edhe Nora Gjakova.
Përndryshe Galatasaray është ekipi që radhitet i pari në botë në sportin e xhudos në kategorinë e ekipeve.
Turqit në urimin e tyre në sajtin zyrtar të klubit nuk harruan për asnjë moment që Majlinda e Nora janë nga Kosova dhe në tekstin e urimit e kanë përmendur disa herë.
“Xhudistja jonë fitoi medaljen e parë të artë olimpike në historinë e Kosovës. E përgëzojmë Majlinda Kelmendin. Ndërsa Nora Gjakovës gjithashtu i urojmë sukses në gara”, është një nga paragrafët urues të Galatasaray-it për Majlindën, Norën e Kosovën, njofton Klan Kosova.
klankosova.tv