Lajmet e fundit

Debati mbi arsimin e lartë është kthyer në betejën e radhës mes PS-së dhe LSI-së.
Mesditën e së hënës, Lindita Nikolla i është përgjigjur Kejdi Mehmetajt, e cila një ditë më parë e akuzoi atë dhe kryeministrin Edi Rama se reforma në arsimin e lartë është e dështuar dhe se është klienteliste.
Nikolla i ka drejtuar një sërë pyetjesh Kejdi Mehmetajt, duke kërkuar prej saj përgjigje se ku ishte ajo kur u mbyllën 22 universitete private dhe si kanë qenë marrëdhëniet e LSI-së me universitetet e mirënjohura, sipas saj, për shitje diplomash.
Më tej, Nikolla evidenton përparësitë e reformës në arsimin e lartë, e cila, sipas saj, forcon universitetet publike dhe i jep autonomi të plotë atyre. Gjithashtu, ky ligj, sipas saj, i jep mundësi më të mirë studentëve që të zgjedhin degët që duan. E në fund, ish-ministrja e Arsimit i drejton dhe një thirrje nënkreytares së LSI-së: “Pres të dalësh e të bësh thirrje që të ndëshkohet kushdo që mashtron maturantët, duke iu ofruar tezën imagjinare në këmbim të kartës së identitetit dhe të eurove për kartën e prindërve. Bashkohu dhe ti me mua për ta denoncuar këtë mashtrim! E para, nuk ka asnjë shans, për askënd, që teza e sekretuar e Maturës Shtetërore, me disa nivele sigurie, të dalë. E dyta, ky është trefish krim: njerëzor, shoqëror dhe elektoral. E treta, gënjeshtra nuk mund të jetë kurrë një shans për të gjithë”.
Por, e menjëhershme ishte dhe përgjigjja e nëkryetares së LSI-së, e cila i kujton ish-ministres diplomën e saj, të marrë në një universitet privat. Duke u ndalur tek shitja e tezave, Mehmetaj nënvizon: “Më mirë se unë e dini që asnjëri prej nesh në LSI nuk mund të premtojë teza apo nota provimesh, pasi ky është një proces që e kontrolloni vetëm ju të PS-së. Sikundër po ju paralajmëroj se do të kërkojmë ngritjen e një komisioni hetimor për të gjithë rastet e drejtuesve të gjimnazeve të Tiranës apo dhe qyteteve të tjera që premtojnë fshirjen e mungesave në këmbim të votës për partinë tuaj”.
Kandidatja për deputete e LSI-së në Tiranë e ftoi ish-ministren në një debat për këtë temë./Top Channel