Lajmet e fundit

Në këto momente është përmbyllur edhe numërimi i votave nga jashtë Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi i cili ka falënderuar të gjithë djemtë dhe vajzat që kanë punuar për ta përmbyllur procesin e numërimit të votave.
“Një falënderim i madh për qindra vajzat dhe djemtë e këtij vendi që u angazhuan me vullnet në këtë proces numërimi që kërkon tepër përkushtim, durim, energji dhe mbi të gjitha saktësi. Po ashtu, falënderim edhe për stafin tjetër që janë angazhuar kaq shumë këto ditë në QNR”.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nesër do të shpallet rezultati përfundimtar.
Elezi ka deklaruar se shpallja e rezultatit do të bëhet në ditën e 18-të pas ditës së zgjedhjeve ashtu si në vitet 2014 dhe 2017, por megjithatë e cilësuar si kohë rekord për shkak të numrit më të madh të vendvotimeve që kanë shkuar në rinumërim dhe numrit më të madh të votave të ardhura me postë dhe atyre me kusht.
“KQZ-ja do të shpall të enjten rezultatet përfundimtare, në ditën e 18 pas ditës së zgjedhjeve, ashtu si më 2014 dhe 2017. Pavarësisht kësaj, kjo është një kohë rekord për faktin se si në asnjë proces tjetër, kësaj radhe janë rinumëruar më shumë vendvotime (564) dhe janë numëruar më shumë se 32 mijë vota me kusht dhe rreth 57 mijë vota të ardhura përmes postës”.