Lajmet e fundit

Institucioni i Avokatit të Popullit, është zhvendosur nga objekti ku ka funksionuar deri më tani në ish-ndërtesën e Bankës së Lubjanës.
Kjo lëvizje shënon edhe plotësimin e njërit prej kritereve që Bashkimi Europian i ka caktuar Kosovës për liberalizim të vizave.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Integrimit Europian Bekim Çollaku nëpërmjet profilit të tij në Facebook, ku thotë se “ky ka qenë një nga 8 kriteret e fundit të vëna nga Komisioni Europian”.
“Më në fund mund të konfirmoj se u përmbush plotësisht edhe rekomandimi i Komisionit Evropian në kontekst të Liberalizimit të Vizave i ndërlidhur me sigurimin e objektit dhe pavarësisë buxhetore të Ombudspersonit”.
“Sot së bashku me Avokatin e Popullit kemi gjetur zgjidhje për vendosjen e këtij institucioni në lokacion të ri, në ish ndërtesën e Bankës së Lubjanës. Kjo do të siguroj funksionimin normal dhe me kapacitete të plota të këtij institucioni. E falënderoj personalisht Avokatin e Popullit z. Hilmi Jashari për konstruktivitet dhe për durimin e deritanishëm, dhe i uroj sukses atij dhe institucionit që drejton në përmbushjen e detyrave të tyre. Gjithashtu falënderoj edhe Ministrinë e Administratës Publike dhe të gjithë zyrtarët e përfshirë në gjetjen e kësaj zgjidhje”, shkruan Çollaku.
Ishte paraparë që Avokati i Popullit të zhvendosej nga lokacioni ku ka funksionuar deri më tani, në objektin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mirëpo kushtetuesja nuk ka pranuar që ta lëshojë ndërtesën.