Lajmet e fundit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mbajtur një ceremoni përkujtimore për gazetarin e ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, i cili u nda nga jeta dje në moshën 64 vjeçare, njofton Klan Kosova.
Kolegët e tij të punës e lartësuan profesionalizmin e tij si gazetar, ndërkaq sipas bashkëpunëtorëve të tij, ai ishte profesionalisti më i madh shqiptar në fushën e gazetarisë ekonomike.
Andaj edhe u propozua që të jepet një çmim për gazetarinë ekonomike që do ta barte emrin e Ibrahim Rexhepit.
Në këtë komemoracion u kujtuan po ashtu fillimet e Rexhepit i cili, sipas familjarëve, edhe gjatë kohës sa ishte në shkollë fillore në fshatin Slivovë të Ferizajt, ishte marrë me shkrime.
Ndërkaq, punën profesionale, ai e kishte nisur më 1976 në gazetën “Rilindja”.