Lajmet e fundit

Organizuar nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore në nderim të rënies heroike të Heroit të Kosovës, Rasim Kiçina dhe bashkëluftëtarit Ragip Halilaj, të cilët ranë heroikisht gjatë luftës në Kosovë, 17 vjet më parë.
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në emër të Qeverisë së Kosovës, para të pranishmëve foli për heroizmin dhe sakrificën e lavdishme të Rasim Kiçinës dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë.
“Falë kësaj përpjekje, lufte dhe sakrifice, kemi arritur qëllimin që rrallëkush nga ne do ta ketë menduar 17 vite më parë. Liria është ideali më i lartë që kemi ëndërruar gjithmonë dhe kjo u arrit falë sakrificës së qindra e mijëra dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Ata janë në botën tjetër dhe shikojnë veprimet tona për konsolidimin e shtetit tonë, të ardhmes sonë"
" Sa herë që kemi sfida përpara, duhet ta kthejmë kokën prapa, jo vetëm 17 vite, por edhe shumë më herët në historinë tonë, e cila është e larmishme dhe na mbanë gjallë që të ecim përpara në të ardhmen tonë. Kjo nuk është e lehtë, sepse shtetndërtimi jonë ende nuk është kompletuar, por ne e kemi më të çmueshmen, atë për të cilën ranë dëshmorët, lirinë dhe kur e ke atë, të gjitha të tjerat janë të arritshme”, tha ministri i Integrimit Evropian.
Ndërkaq, Daut Haradinaj, bashkëluftëtar i Kiçinës tha se Drenica ka dhënë heronj ndër breza dhe falë kësaj sakrifice sot jemi këtu ku jemi.
“Për mua ka qenë nder i veçantë ta njoh personalisht Rasim Kiçinën, jo vetëm në Drenicë, por ta njoh në Dukagjin, ta njoh në Llap, ta njoh në Shalë. Aty ku ishte nevoja ishte pushka e Rasim Kiçinës, ishte pushka e Mujë Krasniqit, e Ilazit, e Abedin Rexhës dhe e të gjithë atyre luftëtarëve të mëdhenj të kombit shqiptar që veten nuk e kursye"
Kurse, Fejzi Kiçina familjar i Heroit Rasim Kiçina i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë Akademi Përkujtimore, transmeton Klan Kosova.