Lajmet e fundit

Bardhyl Dobra, një kosovar që jeton në Bruksel përmes një lidhje direkte ka treguar në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova se si e ka përjetuar këtë ditë.
Ai ka thënë se qytetarët belg janë të shqetësuar.
“Është ditë shokuese, populli belg është tronditur sepse është sulmuar liria e qytetarëve”.
Dobra ka folur edhe se ku ishte ai në momentin kur ka ndodhur sulmi që për pasojë la dhjetëra të vdekur.
“Sot në mëngjes isha në banesë, gjatë momentit të sulmit isha në rrugë për në punë, me të arritur në punë gjysma e kolegëve më mungonin se kishin dëgjuar më herët për sulmin”.
“Gjendje e çuditshme, ka ndrojtje, qytetarët janë të frikësuar por gjatë bisedave të gjithë shprehen se nuk janë të gatshëm ta negociojnë lirinë e jetesës së tyre, ka solidaritet mes popullit”.
“Sot me disa kolegë kemi shkuar në spital për të dhuruar gjak, fatkeqësisht ose fatmirësisht kishte shumë qytetarë që kishin shkuar për të dhuruar gjak”.
Ai ka treguar edhe për gjendjen aktuale në Bruksel ku edhe ka thënë se ka lëvizje.
“Janë disa lagje, në një lagje ku unë punoj është mjaft dinamike e meqë nuk kishte transport publik, njerëzit ktheheshin në këmbë pra kishte mjaft lëvizje”.
“Autoritetet kanë bërë thirrje që të qëndrohet në shtëpi por presidenti i regjionit të Brukselit ka bërë thirrje që të mos ndryshohet mënyra e jetesës, të jemi të kujdesshëm por mos të mbyllemi në shtëpi”.