Lajmet e fundit

Shumë nga doganierët, të cilët janë suspenduar nga puna në Doganat e Kosovës gjatë vitit 2015 dhe gjatë këtij viti, dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mit-marrje, përvetësim i mjeteve monetare në mënyrë të paligjshme dhe vepra tjera, që bien në kundërshtim me rregullat e punës në këtë institucion.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se ndaj zyrtarëve të dyshuar janë marrë masat e nevojshme.
Rasti i fundit i suspendimit të doganierëve për keqpërdorim të pozitës zyrtare ka qenë gjatë kësaj jave.
Sipas Stavilecit, doganierët e suspenduar kanë punuar në pikën kufitare doganore në Merdare dhe dyshohen se kanë bërë lëshime me rastin e doganimit të mallrave në import.
Masat e ndërmarra nga Doganat e Kosovës për zyrtarët e këtij institucioni, sipas Stavilecit, tregojnë përkushtimin e Doganave për çrrënjosjen e keqpërdorimeve eventuale dhe përkushtim për të shërbyer me devotshmëri kundrejt qytetarëve të Kosovës.
Ndryshe, të gjitha qeveritë pas luftës, duke përfshirë edhe qeverinë aktuale, kanë deklaruar se do t’i luftojnë dukuritë negative dhe kishin vendosur si prioritet në politikat e tyre, parandalimin e ekonomisë joformale, korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë.
Teksti i plotë në Radio Europa e Lirë.