Lajmet e fundit

Kanë përfunduar xhirimet e filmit “Bon Appétit” të regjisorit Erenik Beqirit, i cili ka bërë një përzgjedhje të sofistikuar sa përket kastës së aktorëve. Arben Bajraktaraj, Romir Zalla dhe Ema Andrea janë aktorët e këtij filmi të metrazhit të shkurtër, i cili është nën realizimin e produksionit “Anima Pictures”.
Regjisori Beqiri ka shpjeguar thelbin e këtij filmi që ka kaq figura karizmatike. “Ngjarja zhvillohet rreth një darke të pazakontë, e cila përgatitet vetëm për persona të përzgjedhur të shoqërisë”, – ka thënë ai duke shpjeguar edhe detajin tjetër se titulli i filmit “Bon Appétit” është titull pune, ndërkohë që sipas tij, filmi është i vetëfinancuar.
Se sa ishte i kënaqur me mbarëvajtjen e xhirimeve, ai është shprehur të ketë arritur atë çfarë ka synuar nga aktorët. “Ishte kënaqësi të shohësh se si aktorët ngjizeshin në personazhet, duke u dhënë autenticitet”, ka thënë në fund ai, i cili në këtë projekt filmik përveçse është regjisor, edhe skenari mban emrin e tij./mapo.al