Lajmet e fundit

Ka përfunduar protesta e sotme e qindra punëtorëve të institucioneve të Kosovës.
Shumë nga ta mbanin pankarta të ndryshme në lidhje me shqetësimet e tyre. "100 euro rritje page", "Qeveri mos lejo që padrejtësitë të bëhen ligj.. "Të fillojë sa më parë aplikimi i sigurimit shëndetësor", "Të pranohet përvoja e punës gjatë viteve të '90-ta", ishin disa nga to.
Kryetarë të sindikatave të ndryshme u ngjitën shkallëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku folën për kërkesat e tyre.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës, Ali Gashi, tha se kërkojnë ligjin e pagave, në mënyë që, sipas tij, të vlerësohet puna e djersa e punëtorëve.
"Nuk kërkuam privilegje, por duam ligjin e pagave ku vlerësohet puna e djersa e punëtorit. Kërkesa jonë e tretë nuk është kërkesë por mesazh, thirrje për ndërgjegje. Si ka mundësi që bëhet ligji diskriminues?! Ata njerëz u dëbuan dhunshëm nga regjimi serb, ata nuk kërkojnë asgjë më shumë pos respekt e vlerësim, të eliminohet ky kriter diskriminues prej 15 vjetësh", tha ai.
Kryetarja e Shoqatës Sindikale të Shëndetësisë, Tefide Imeri, tha se pret rezultate nga kjo protestë.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Sindikatës së Doganave të Kosovës, Leonora Lokaj, tha se duan sigurime shëndetësore për të gjithë të aksidentuarit në vende pune, njofton Klankosova.tv
Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së re Korporatës Energjetike të Kosovës, kërkoi të lejohet shfrytëzimi i trustit pasi, sipas tij, janë kursime të qytetarëve dhe duan t'i shfrytëzojnë siç dëshirojnë vetë.
"Trusti pensional është trust pensional i kursimeve tona, lejonani ta shfrytëzojmë atë në këtë kohë të vështirë, lejonani mjetet tona t'i shpenzojmë siç duam ne, jo si doni ju", tha ai.
Kujtojmë se kryetari i BSPK-së dhe ai i SBAShK-ut, kërkuan nga qeveria që të përfillen kërkesat e sindikalistëve./Klankosova.tv