Lajmet e fundit
Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në 49 bashki. Në 35 prej tyre kanë fituar kandidatët e majtë, ndërsa në 13 fitues janë kandidatët e së djathtës dhe 1 i partisë së minoritetit grek "Mega".

Pas Korçës dhe Lushnje koalicioni i majtë ka marrë 3 nga bashkitë e mëdha të vendit. Fitorja e ASHE-së konfirmohet në Elbasan, Fier dhe Gjirokastër, ndërsa është çështje kohe zyrtarizimi i fitores në Vlorë.
Në Elbasan, Qazim Sejdini ka siguruar rreth 15 mijë vota më shumë se rivali i tij, Ardjan Turku. Në Gjirokastër, Zamira Rami, ka një avantazh prej 1800 votash.
Me mbi 10 mijë vota avantazh, Armand Subashi shpallet fitues i Bashkisë së Fierit, ndërsa në Vlorë, Dritan Leli i ASHE-së ka një avantazh prej 14 mijë votash ndaj rivalit të tij, Genc Deromemajt.
Në Shkodër, ku janë numëruar 94 nga 245 kuti, Voltana Ademi udhëheq me rreth 5 mijë vota avantazh ndaj Keti Bazhdarit. Suprizë mund të konsiderohet rezultati i Malësisë së Madhe, ku udhëheq me rreth 300 vota kandidati i së majtës.
Edhe në Lezhë, kandidati i Partisë Demokratike udhëheq me rreth 3500 vota ndaj kandidatit të së majtës, Viktor Tushaj, kur kanë mbetur edhe 12 kuti nga fundi.
Ndërkohë, sa i përket Durrësit, kur kanë mbetur edhe 91 kuti për t’u numëruar nga 310 në total, Dako prin me 6 mijë vota ndaj Grida Dumas.
Në Berat, kur kanë mbetur edhe 18 kuti për t’u numëruar, kandidati i ASHE-së, Petrit Sinaj kryeson me 1500 ndaj Kasëm Mahmutaj.
Në Kukës, me mbi 3 mijë vota avantazh, Bashkim Shehu u APPD u shpall fitues ndaj Hasan Halilajt të ASHE-së.
Gara më e balancuar, ku kandidatët Ilir Krosi dhe Shukri Xhelili “luftojnë” për një grusht votash. Kandidati i APPD-së, Krosi udhëheq me një grusht votash, ndërkohë që procesi i numërimit ka nisur qetësisht pas tensionit që përfshiu më herët këtë KZAZ. /Top Channel.