Lajmet e fundit

Qendra për zhvillim multikulturor “Impact” shënoi sot ditën vendore të viktimave të komunikacionit rrugor.
Shënimi i kësaj dite ka për qëllim nëpërmjet kujtimit që ua bëjnë viktimave në trafikun rrugor të rrisin shkallën e ndërgjegjësimit të qytetarëve rreth sigurisë në rrugë , që të ketë sa më pak aksidente dhe numër sa më të vogël te vdekjeve në rrugë.
Me moton “ Më kujto, më kujdes” ata kanë realizuar 3 performanca në kryeqytet në mes të rrugës ku qarkullojnë makinat. Ata kanë vendosur që të improvizojnë skena ku një person shkelet nga makina në vend-kalimin për këmbësorët e ku në skaj të rrugës qëndron edhe ambulanca, njofton Klan Kosova.
Naim Berisha, organizatori i këtij aktiviteti, tha se pavarësisht Ditës Botërore të Aksidenteve, “kemi dashtë që edhe ne ta kemi ditën vendore ku po përkujtohen viktimat në trafik”.
Ai më tej tha se Institucionet duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim për vetëdijësimin e qytetarëve që të ngasin makinat me më shumë kujdes, pasi që viktimat në komunikacion çdo ditë e më shumë shtohen.
Berisha po ashtu bëri thirrje si nga qytetarët që ngasin makina si nga këmbësorët që të jenë më të kujdesshëm, dhe aktivitete të tilla të jenë më të shpeshta.