Lajmet e fundit

Forcat kufitare të Arabisë Saudite janë akuzuar për përdorimin e forcës pa dallim ndaj emigrantëve që përpiqen të kalojnë në territorin e saj, me raporte që flasin për vdekje dhe raste të shumta të abuzimeve seksuale, përfshirë përdhunimin e grave.
Emigrantët etiopianë që tentuan të kalojnë nga Jemeni fqinj midis vitit 2019 dhe 2024 kanë dhënë dëshmi tronditëse për gazetën “The Guardian”. Ata kanë treguar se kanë qenë nën breshëritë e automatikeve, duke parë trupa të kalbur dhe të shkatërruar në zonën kufitare, transmeton Klankosova.tv.
Një emigrant etiopian i cili u përpoq të kalonte në provincën Najran të Arabisë Saudite në vitin 2022 ka përshkruar pamjen e tmerrshme që përjetoi. Ai tha: “Unë personalisht pashë tre njerëz të vdisnin pranë meje. Rreth meje kishte pjesë trupash të të plagosurve dhe të vdekurve”.
Një tjetër emigrant ka folur për plagët që kishte marrë nga predhat në këmbë dhe në shpinë, ndërsa një i tretë ka dëshmuar për përdhunimin e tri grave etiopiane nga burra me uniforma të rojeve kufitare saudite. Më shumë emigrantë kanë raportuar gjithashtu për rrahje dhe sulme seksuale të ndodhura gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin.
Një tjetër burrë që u mundua të kalonte në janar 2023 ka përshkruar udhëtimin e tij si një kalvar të vërtetë. Ai tha për “The Guardian”: “Udhëtimi ishte i tmerrshëm. Gjatë rrugës, ne hasëm shumë trupa të dekompozuar që ishin ngrënë nga kafshët. Rojet kufitare vazhduan të qëllonin drejt nesh ndërsa ne ecnim nëpër terrene të huaja”.
Ai ka shtuar se plumbat kanë goditur dy vajza të reja, njëra në gjoks dhe tjetra në pjesën e pasme të qafës, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tyre. “Shumë emigrantë ranë nga një shkëmb ndërsa përpiqeshin të arratiseshin. Të tjerët u kapën ose u plagosën me armë zjarri. Nuk e kemi idenë se çfarë ka ndodhur me ta. Nuk e dimë nëse dy vajzat janë varrosur ndonjëherë”, tha ai.
Akuzat për abuzime të tilla kanë ngritur shqetësime ndërkombëtare lidhur me trajtimin e emigrantëve nga ana e forcave saudite dhe kanë nxitur thirrje për hetime të pavarura mbi këto ngjarje. /Klankosova.tv